Duke vrojtuar mbulesën bimore në tërësi vihen re trajtat e saj të ndryshme, pra ndryshime fizionomike, që në gjuhen e zakonshme thirren pyll, kullotë, kënetë etj ose në mënyrë me të detajuar: bredhishte, ahishte, dushkajë, kallamishte etj.
Ndryshimet që përcaktojnë këto emërtime, janë përcaktuar nga dominanca e një forme biologjike të caktuar të bimëve, (dru, shkurre ose barishte) ose të llojeve të veçanta shumë domethënëse si edhe nga faktorë fizikë të lidhur me orografinë, natyrën e tokës, nga elementët klimatikë ekstremw si:
temperatura (e butë ose e ashpër), rreshjet (të bollshme ose të pakta), ose nga prania e llojeve të veçanta që mungojnë në “tipin” e bimësisë të afërt dhe strukturisht të ngjashme.
Llojet bimore që përbëjnë florën e një vendi nuk janë të shpërndara rastësisht e të pavarura nga njëra-tjetra, përkundrazi ato rriten së bashku e në unitet në shoqërime bimore, që formohen nga individw të së njëjtit lloj dhe mw shpesh nga individë të llojeve të ndryshme. Ky unitet formohet si rezultat i bashkëjetesës së bimëve në vendbanim të përbashkët, gjë që formon ndërmjet tyre lidhje të ndërsjellta, të cilat ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e bimëve në një grupim bimor.
Bima si individ që të mund të jetojë duhet të krijojë lidhje të përshtatshme me mjedisin dhe me bimët e tjera në shoqërim, Çdo lloj ka individualitetin e tij; por kur ai bëhet anëtar i grupimit bimor nuk është më i pavarur, por i lidhur me shumë organizma e lloje të tjera.
Gjeobotanika pra studjon grupimet bimore ose sintaksonet nga pikëpamja ekologjike, dinamike, korologjike dhe historike; ajo studjon mënyrën me të cilën grupohen bimët në shoqërime bimore të caktuara në kohë dhe në hapësirë duke analizuar aspektet floristike, ekologjike, dinamike dhe historike (Gehu e Rivas-Martinez 1980).
Specifika e gjeobotanikës është se ajo ka si objekt studimi jo bimët e veçanta, por shoqërimet bimore si elementë përbërëse të bimësisë dhe lidhjet e tyre me tokën, klimën e faktorët e tjerë të mjedisit
Shoqërimi bimor është tërësia e bimëve që zënë një territor të caktuar e homogjen dhe që lidhen në mënyrë të ndërsjelltë me mjedisin dhe nëpërmjet tij edhe midis tyre. Studimi i gjithanshëm i bashkëveprimit të shoqërimeve bimore me mjedisin, si edhe ndryshimi aktiv i tyre në dobi të ekonomisë janë detyrat themelore të gjeobotanikës.
Shkenca e gjeobotanikës ndërtohet në sajë të një sistemi hierarkik në të cilin asocacioni ose shoqërimi bimor është njësia elementare. Baza metodologjike e gjeobotanikës është rilevimi i bimësisë.
Ashtu si botanika, që ndahet në sistematike ose taksonomi, morfologji, anatomi, citologji dhe fiziologji bimësh edhe gjeobotanika e përgjithshme ndahet në: gjeobotanikë historike (fitokronologjia), floristike (fitokorologjia), sociologjike (fitosociologjia) dhe ekologjike
(fitoekologjia).
Gjeobotanika historike e konsideron shpërndarjen e sotme të bimëve si rezultat të zhvillimit të gjatë të bimësisë në të kaluarën, veçanërisht nga koha e shfaqjes së bimëve me lule, dhe përpiqet ta sqarojë atë duke studjuar materialet fosile (makrofosilet dhe mikrofosilet).
Detyra e gjeobotanikës floristike është studimi i plotë i florës, dmth hartimi i listës së llojeve që takohwn në një zonë të caktuar si dhe studimi me hollësi i prejardhjës dhe shpërndarjës së tyre. Me këtë fillojnë studimet gjeobotanike të çfarëdo territori.
Gjeobotanika sociologjike merret jo me lloje të veçanta bimesh por me shoqërimet bimore me të cilat nxjerr bimësinë e çfarëdo zone. Ajo studjon përbërjen floristike të bimësisë nga ana cilësore dhe sasiore.
Gjeobotanika ekologjike, ndryshe nga këto të treja, në zonat e përshkruara nxjerr çështje të natyrës shkakësore. Ajo studjon marëdhëniet që ekzistojnë ndërmjet bimëve dhe mjedisit, në mënyrë që në përfundim të sqarojë shkaqet e shpërndarjës së bimëve në rruzullin tokësor si edhe thelbin e qarkullimit të lëndëve e të shndërrimit të energjisë në biosferë.
Gjeobotanika merret vetëm me mbulesën bimore të steresë dhe pjesërisht me zonën ujore bregdetare. Kushtet e jetesës në basenët me ujë të embël, lumenjtë dhe ujërat e kripura dallohen shumë nga ato të steresë dhe studjohen në degë të veçanta të hidrobiologjisë.
Nga bimët tokësore interes kryesor për gjeobotanistët paraqesin bimët enëzore; në pjesën më të madhe, nga bimët e ulëta studjohen vetëm ato më të rëndësishmet.