Teksti Sipërmarrja dhe drejtimi i biznesit të vogël synon të zgjerojë konceptet teorike dhe praktike mbi sipërmarrjen dhe menaxhimin e bizneseve te vogla.
Bizneset e vogla vazhdojnë të luajnë një rol të rëndesishëm në ekonominë kombëtare. Çdo vit qindra mijra njerëz vendosin të punojnë për veten e tyre, pra të fillojne një biznes të vogël. Sipërmarrësit janë pronarët e bizneseve të vogla. Ata janë njerëzit që marrin mbi vete risqet dhe që drejtojnë aktivisht bizneset e tyre. Sigurisht jo të gjithë sipërmarrësit kanë sukses. Ku qëndron pra çelësi i suksesit të biznesit të vogël? Gjatë leximit dhe studimit të tekstit Sipërmarrja dhe drejtimi i biznesit të vogël, ju do të mësoni mjaft për t’ju përgjigjur kësaj pyetje.
Qëllimi kryesor i këtij teksti është që t’i mësojë studentët me konceptet bazë të sipërmarrjes dhe të drejtimit të bizneseve të vogla duke siguruar njëkohesisht dhe instrumentat përkatese për të pasur sukses.
Ky tekst është hartuar në përputhje me programin e lëndës që zhvillohet me studentët e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit. Teksti ofron trajtime teorike në fushën e sipërmarrjes dhe drejtimit të biznesit të vogël por në të njëjtën kohë jep edhe një sërë rastesh studimore për të konkretizuar më mirë trajtimet teorike. Vetëm një analizë e tillë i ndihmon studentët për të zbatuar në praktikë konceptet teorike të mësuara. Rastet studimore do t’ju shërbejnë studentëve gjatë seancave të seminareve për diskutim dhe shtjellim të mëtejshëm.
Teksti është shkruar gjithashtu me deshirën e mirë për të dhuruar një material të dobishëm për një masë më të gjerë lexuesish që kanë deshirën dhe idetë për të nisur apo për t’a bërë të susesshëm një aktivitet biznesi.
Teksti është strukturuar në gjashtë kapituj. Në kapitullin e parë trajtohen probleme që lidhen me natyrën e sipërmarrjes dhe të biznesit të vogël në përgjithësi. Kapitulli i dytë fokusohet në kërkimin e mundësive sipërmarrëse dhe trajton veçmas mundësitë e fillimit të një biznesi të ri, mundësitë e blerjes së një biznesi ekzistues, mundësitë e blerjes së një Franchise si dhe mundësitë e biznesit familjar. Në kapitullin e tretë trajtohen problemet që lidhen me zhvillimin e planit të biznesit për firmën e re. Në këtë pjesë trajtohen edhe problemet mjaft të rëndësishme që lidhen me përcaktimin e vendndodhjes së biznesit si dhe gjetjes së burimeve të financimit. Në kapitullin e katërt trajtohen problemet e marketingut të biznesit të vogël duke u ndalur në mënyrë të veçantë në sjelljen e konsumatorit si dhe në strategjinë e produktit. Në kapitullin e pestë trajtohen çështje që lidhen me menaxhimin e veprimtarisë së biznesit të vogël duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek menaxhimi i inventarit, menaxhimi i burimeve njerëzore si dhe menaxhimi i cilësisë. Në kapitullin e gjashtë dhe të fundit trajtohen probleme mjaft të rëndësishme që lidhen me menaxhimin financiar në firmat sipërmarrëse ku në mënyrë të veçantë jam ndalur në vlerësimin e performancës financiare si dhe në menaxhimin e kapitalit qarkullues dhe buxhetimin e kapitalit.