Çështja e universiteteve dhe instituteve kërkimore, veçanërisht ajo pjesë e saj që ka lidhje me ekzistencën e tyre si institucione dhe prandaj edhe me balancën midis qeverisjes dhe demokracisë, në mënyrë konstante më ka tërhequr vëmendjen gjatë krejt jetës sime profesionale. Ky interes u shndërrua në një magnet të fuqishëm pas vitit 1990, nga tërheqja e të cilit nuk jam shkëputur sot e kësaj dite dhe besoj që nuk do të shkëputem edhe për një kohë të gjatë. Isha ndoshta nga të parët që kuptova se energjitë e ndrydhura të universitarëve dhe të studjuesve, të kapura në grackë nga forma bunker e qeverisjes lindore, mund të çliroheshin dhe akoma më shumë, mund të rivitalizoheshin vetëm nëse bëhej copë e çikë kjo formë qeverisje e kalçifikuar në vite më e ashpër se në çdo vend tjetër ish komunist. Ishte një shembje që duhej të bëhej brenda shembjes së madhe të sistemit totalitar. Vetë sistemi totalitar do të konsiderohej i mundur vetëm nëse shëmbeshin kullat, frëngjitë apo ngurtësimet në hapësirën e tij. Forma e vjetër e ekzistencës dhe funksionimit të universiteteve dhe instituteve kërkimore është një nga këto ngurtësime, nga më të vështirët për t’u shembur, fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite akoma në këmbë, kërcënuese si më parë. Metafora që shërben për të konceptuar formën e vjetër të arsimit të lartë dhe shkencës si një frëngji apo një kullë që kërcënon për të konservuar të shkuarën pushon së qëni e vlefshme posa ajo përfytyrohet e shëmbur. Pas shëmbjes, si në asnjë pushtim të zakonshëm, në fushën e universiteteve krijohet një boshllëk i papranueshëm, domosdoshmërisht për t’u plotësuar. Plotësimi i këtij boshllëku nuk bëhet duke ndërtuar një frëngji apo një ngurtësim tjetër, përkundrazi, ai bëhet duke ndërtuar diçka të re, pra një formë organizimi të tillë që jo vetëm nuk do të pengonte, por do të nxiste çlirimin e energjisë së universitarëve dhe të studjuesve. Menjëherë pas shembjes së formës së vjetër është e logjikshme që universitetet të bashkoheshin me institutet e kërkimit shkencor, t’i jepej pushtet strukturave të reja të formuara pas këtij bashkimi dhe në të njëjtën kohë edhe autonomia e nevojshme për ta përdorur me efektivitet pushtetin e dhënë. Dhënia e autonomisë me siguri pastaj do të çojë edhe në ndryshimin e thelbit të qeverisjes së universitetit, duke i bërë të gjithë universitarët pjesmarrës në të dhe kjo e fundit edhe në ndryshimin e formës përmes së cilës realizohet demokracia universitare. Kjo quhet reformë. Një reformë që nuk u bë kurrë në Shqipëri.