Skender Doçi
Ka mbaruar Fakultetin e Ekonomise dhe Agrobiznesit.
pranë Universitetit Bujqësorë të Tiranës
Punon pranë Librarisë Universitare UBT.
I Lirë
Nganjëherë, ndiehem edhe unë i shtrënguar, deri në dhembje
Pa qënë i lodhur, edhe pse çdo gjë është mirë edhe unë i lirë
Ndoshta kur u krijua njeriu, iu la shtrëngimi edhe pa arsye
Kjo është e rrallë, e rrallë sa ndonjëherë ke për të edhe mall.
Ky çast nuk të dëmton ndjenjat, shpirtin e as qënien tënde
Të shtyn përpara drejt një gëzimi, ikën dhembja dhe shtrëngimi.
Të qeshin sytë, rri i lirë, ke gëzim për vete dhe për të tjerët
Disi të ka rilindur shpirti dhe gëzimi, ashtu si nënës që porsalindi
I kam dashur shumë njerëzit dhe prap i dua. Po, i dua
edhe këtë çast që jam i vetmuar dhe shtrëngimi më ka liruar
E ndajë gëzimin me të gjithë, pa iu kërkuar para e as ofiq
E ndajë deri sa të më shterrojë, dhe shpirti im prapë do të prodhojë.
S‘e kam kuptuar njeriun që varet vetëm nga paraja dhe ofiqi
I bëhën sytë si maces tek mishi, i tkurret mendja e i dhëmb shpirti
S‘i qesh fytyra, si qeshin kurrë sytë, veç nxjerrë dhëmbët duke pritë
Ka humbur lirinë, ka humbur gëzimin, shpërndan gjithandej trishtimin
E ka humbur lirinë, në burg përjetë e ka shpirtin e mirësinë
Nuk ka prehje në këtë jetë, përse ujku ndër dele është i qetë?!
E shikon tjetrin, me egon e tij gjithandej kërkon ta ndukë
As pasuria e botës nuk ia kthen lirinë që ju ka zhdukë.
Një përkujtimore këtij njeriu pas vdekjes, unë kërkoj me ia ngritë
I shkreti, vuajti shumë, kurrë nuk qe i lirë dhe nuk gëzoi një ditë
I kan ngelë sytë hapur, prap ofiqe dhe pará është duke pritë
Uroj që n‘atë jetë, Zoti t’i japë qetësi, paqe e pak dritë
Për lirinë, nuk di se çfarë të flas. Më vijnë mijëra gjëra, gati po pëlcas.
Te shpirti im ajo ka vendin e vet, pa të unë nuk dua të kem as jetë
Do jetoj edhe më i lirë, në vitet që më kanë ngelur prej jetës
Është mbretëria ime, mbretëria e së mirës, e fjalës dhe e së vërtetës
Skender Doci – Tiranë, më 14 Prill 2016
Shiu
Ky shi që po bie, qull do na bëjë
Çadër nuk kemi as unë, as ti
Afrohu, të ecim brinjë më brinjë,
Se shiu në mes nesh nuk do të arrijë
Sytë e tu larg po shikojnë
Nuk i pengon shiu, mjegulla, asgjë
Edhe trupin tim e depërtojnë
E dinë se kur shiu do pushojë
E shohin se para do vijë lëndina
Një rreze dielli, qielli do na e lëshoj
Rrezja e tij ne do na ngrohë
Pikat e shiut, n’avuj do na i largojë
A do i duroj unë ata sy
Kur në diell, të jemi duke u tharë
Avujt e trupit tënd do më përpijnë
Trupin tim do ta djegin si zjarr
Kur të afrohem, mos më largo
Bashkë jemi derisa dielli të perëndojë
Në shtëpi do ikim kur të jemi tharë
Deri at‘here, unë e kam shuar këtë zjarr.
Era e vjeshtës
Gjethet e vjeshtës, era në tokë po i lëshon
Sa keq më vjen, jeta për to po mbaron
Ato me orë, do rrinë të këputura mbi trotuar,
Në darkë janë te koshi, që për to është një varr
Edhe në Dajt, gjethet pothuajse ranë
Janë më mirë, se fundin e kanë aty pranë
Bien nga dega, me pemën që i rriti do rrijnë
Ushqejnë jetë të tjera, për gjethet që do vijnë
Era me përkëdheli këtë veprim po e bën
Nuk po lë gjethe nga vendi në vend
Thotë se kështu fryja edhe në pranverë
Atëherë, përse paskam faj unë këtë herë?
Thotë se kështu të verdha, ju bëri vera
Nga kto anë, unë tani kam filluar të kaloj
ju gjeta të vyshkura prandaj po ju rrëzoj
aty në tokë bashkë po ju grumbulloj.
Ç’më trazuan, mua tani këto gjethe
Unë dola për vjeshtën që më gëzon
Kjo erë gjithmonë, më ka magjepsur
me duket se jeta, për mua sot po fillon…
Lulja dhe flutura
Oh, Flutur e dashur, sa po më rëndon…
Po lëvize krahët peshën ma lehtëson
Rri, rri, se unë mërzitem po ike
Por të lutem të jesh sadopak mike
Po më peshove kështu, mua më rrëzon
Unë nuk ngrihem dot më, këtë sezon
Ka edhe lule të tjera, ku ti mund të shkosh
Po mos harro, se edhe ato kështu, doi rrëzosh?!
Të pashë dje, Ti me një lule tjeter u zure
Lulet e lëndinës në dridhje dhe lot i vure
Kur qajmë ne, pjalmi na bie përtokë
Po ti, ku do ushqehesh, pra në këtë botë?
A e shikon ti, o flutur këtë lëndinë?
Me mijera lule, ne bashkë shkojmë e vijmë
Kurrë një zënie, mes nesh nuk është parë
Sepse lëndinën, diellin, ajrin miqësisht I ndajmë
Lule e bukur, më fal nëse unë të kam lënduar
Më falni, që dje unë ju kam dridhëruar
Me lot, të përgjerohem, se kurrë nuk e bëj më
Krahët e mi, në punë do t’i vë…
Dita
Mëngjes, sot unë diku duhet të shkoj
Dikë, sot unë duhet të takoj.
Pa dalë nga dera e humba shtëpinë
Mendja ime, e mori arratinë.
Të gjithë në rrugë si unë po lëvizin
Se nga shkojnë, as ata s’e dinë.
Kërkojnë rrugën, kërkojnë shtëpinë
Kërkojnë mikun, kërkojnë dashurinë.
Kërkoj njeriun që unë pranë e kam
Mirmëngjes,unë nuk i them.
Kam frikë se më tregon brengën
Akoma më shumë ma lëndon zemrën.
Ende në drekë, po shkojmë e vijmë
Nuk gjetëm punën, shokun as dashurinë.
Ndalim pak, pimë ujë dhe rrimë
Fillojmë prapë, ndoshta i arrijmë.
Bie muzgu si një natë më parë.
Po lëvizim ngadalë, të lodhur dhe të vrarë.
Nuk gjetëm punën, shokun as dashurinë
Arritëm edhe sonte të gjejmë shtëpinë.
Mjegulla
Ç’u bë qielli, ku shkoi dielli, ku janë malet?
Ku janë shtëpitë, lagjja, po komshinjtë?
O Zot! A ka ngelë gjë sot nga kjo botë?!
Apo vetëm unë, qeni im dhe ca metra tokë!
Ti qen i mirë, qofsh bekuar.
Më habit, një herë të vetme s’më ke tradhëtuar!
Gjithmonë m’ke dashur dhe m‘je gjendur pranë.
Sot në mjegull, humbi dynjaja, ty afër të kam!
I shqetësuar ti nuk je fare,
Vazhdon të lozësh, sikur po hedh valle,
Kur më afrohesh, ma largon panikun,
Jam me ty, trimin dhe besnikun!
Ja, ky lepur i hutuar, përfundoi te ne!
Nuk e di se ku është dhe ku do të shkojë.
Dridhet i tëri, nga frika gati po ngordh!
Vrapojmë të dy, nga kjo mjegull ta shpëtojmë!
Iku mjegulla, lepuri pa mirupafshim vrapoi.
Ty, besniku i kohëve, kjo nuk të trazoi.
E di! Tani po më shikon mua, se si do të veproj?
Të betohem, jam besnik si Ti, nuk të tradhëtoj!
Deti
Sot në mëngjes u ngrita herët dhe erdha tek ti…
Dua të di se çfarë u bën njerëzve që të duan ty?!
Kur janë të trazuar, të mërzitur e të gëzuar, tek ti vijnë,
Kur janë të vetmuar, vetëm me ty duan të rrinë.
I madh sa qielli ti je vet,
Edhe ngjyrën e ke blu, veç se të thonë det!
Duket se ti tokën e ke mbështjellë në dorë,
I ke lënë jashtë vetëm malet si kurorë.
Të gjithë e shohim këtë madhështi, pas qiellit vjen ti!
Toka ku rrimë ne vjen e treta, ditët në verë i ka të nxehta.
Nuk është e vështirë ta di përse dynden tek ti në verë,
Po ç’kërkojnë në dimër, në vjeshtë dhe në pranverë?
Për këtë unë kam lënë punën dhe kam ardhur sot.
Do rri këtu gjithë ditën deri sa t’ma thuash, ose ta gjej vetë.
Mos më përmend qiellin, sepse atë nuk e takoj dot.
Ama ty, këtu të kam, ma thuaj se t’kam shok!?
Pranvera
Si vullkan, jeta në pranverë shpërthen
Bimët drejt diellit, fillojnë e nisen
Thonë se duan të sfidojnë retë
Thonë se ne, më nuk na flihet
Retë e pakta, largohen fare
Një fllad i ngrohtë fillon të valëzojë
Përkëdhel detin, përkëdhel tokën
Çdo gjë të gjallë, peshë e zgjon
Edhe deti, pa dallgë gumëzhinë
Peshqit në breg, duan të arrijnë
Duan të shohin jetën në tokë
Të rrinë pak, në rërën dhe diellin e ngrohtë
Gjithçka ndjehet mirë dhe rritet e lirë
Janë flakur guackat, askush më s’i don
Fillojnë lulëzimet, fillojnë çiftëzimet
Natyra me zogjtë këngën fillon
Njerëzit në mesin e kësaj lumturie
Krijesa më e privilegjuar e kësaj gjithësie
Kanë hequr rrobat, kanë lënë shtëpitë
Kanë dalë të jetojnë mrekullitë
Te kumbulla e lulëzuar, vajzat qëndrojnë
Edhe kecat e qengjat, atje duan të shkojnë
Një çift me njëri-tjetrin, diçka po bisedojnë
I thotë pranvera lëndinës, lëri të dashurojnë.
Gjithçka i ka lënë vendin mirësisë
Gëzimi dhe dashuria, si kurrë ndonjëherë
Ç‘janë këto ndjenja? Ç‘janë këto pasione?
Që njeriu i provon, vetëm në pranverë
Edhe unë, i mufatur nga alergjia
Eh, më zuri sapo dola nga shtëpia
S’kam qenë më i lumtur, nga kjo herë
Do doja të kishte gjithmonë pranverë
E kam shumë zili Botiçelin
Me një pikturë, pranverën në njerëz realizoi
Mua më duhen qindra vargje, dhe prap
ndjesinë e pranverës, nuk arrij ta tregoj.
Vajza në dëborë.
Malet, mjegulla sot i ka sheshuar,
Në pah me dal kjo bukuri!
Edhe diellin e ka verbuar,
Askund nuk shihet rrezja e tij.
Me bardhësi bora vendin po mbulon,
Që të duken mirë, sytë e tu të zi!
Të gjithë njerëzit ty po të shikojnë,
Vallë e jona është kjo bukuri!?
Në kokën tënde plot kaçurrela,
Floku i dëborës mirë po pushon,
Vrapojnë dhe shtyhen me njëri-tjetrin,
Se kush më parë aty po shkon.
Shalli qafën dhe buzët t‘i rrethon,
Një zjarr të madh aty e mbron.
Avull i ngrohtë poshtë shallit buron,
Floku i dëborës aty shkrihet sapo shkon.
Bardhësia e dëborës ty po të mbulon
Me një vello në shtëpi sot ti po shkon
Ata që të panë u kthyen në dasmorë
Kan filluar ritet në sheshin plot dëborë!
Flokët e dëborës si oriz për nusëri,
Topat e dëborës fishek-zjarre për ty
Kërcejnë sorkadhet, zogjtë marrin melodi,
Drerët dhe kaprojtë ke për krushqi.
Dallgët
O det i madh, po ty kush të ka shqetësuar
Kaq shumë sot, kush të ka trazuar
Zhurmon pafund me ato dallgët e tua
Mos më thuaj se fajin ta ka një përrua?
S’e besoj se deshiron të tregosh fuqinë
Ndoshta kërkon të trembësh njerëzinë?
Se lumenjtë edhe liqenet, me ty rrinë
Ata, ta dinë më mirë se unë madheshtinë
Edhe këtu në rërë ti po më ndjekë
Me thua ik tutje, ngjitu kodrës përpjetë
Zhurmët e tua, as atje s’më lënë të qetë
Mendo edhe për mua se ti je mbreti vetë
Tek ti, unë erdha për qetësinë që ke
Erdha të ndajmë mërzinë, si mik që je
Ti sot qenke shumë më i trazuar se unë
Më mirë të shkoj, të rri tek një lumë
S’kam kërkuar ndihmë, as nuk të kam mërzitur
Shumë herë varkën mbi ty unë e kam vozitur
Kam bërë edhe not kur ishe i qetë dhe s’kishte erë
S’të kam parë kurrë të trazuar si këtë herë
E kuptoj, era ty ta prishka krejt qetësinë
Të nxjerr nga vetja, dhe tregon fuqinë,
Ajo kalon e lirë dhe ngjitet kodrës përpjetë
Më thotë edhe mua hajde të shkojmë tek retë
Era është e lirë, si shpirti dhe mendja ime
E dimë se ne për ty nuk jemi as thërrime
Kur të qetësohesh na thuaj se ne vijmë vetë
Kështu nuk të ka hije, erdhëm se të dinim të qetë
Dashuria
Dashuria, shpesh më ka bërë serioz
Më ka bërë si fëmijë e të padurueshëm
Ndonjëherë më ka bërë edhe për të qeshur
Shumë herë më ka detyruar të jem i zhveshur.
Më ka gjetur gjithmonë të mirë dhe të lirë
Si flladi i lehtë i verës heret në të gdhirë
Si bimën që uji i shkon pak pa u zhuritur
S’ka një herë të vetme që më ka mërzitur.
Dashuria nuk është ajo e Romeos me Zhuljetën
U bashkuan bashkë por humbën secili vetveten
Vetëm ajo s‘ishte dashuri, ishin të sëmurë që të dy
Dashuria është gëzim për jetën, aty s‘e mendon vdekjen.
Paqja
Në shpirt, paqen e kam të qartë, në jetë më duket e largët.
Për të vdekurit, më duket krejt e mundur, e barabartë dhe e palëkundur
Për të gjallët duket e vonuar, nga të gjithë e uruar dhe shumë e kërkuar
Ndodhet mes nesh, duhet ta japim e ta marrim, është e padukshme. Unë e pres!
Flasim për paqe, për mirësi, ta japim se na kthehet përsëri, të gjithë të qetë e në liri
Do shohim si njëri- tjetrin kemi mërzitur, me shpresë pëllumbin e paqes e kemi pritur
Do vijë dhe do i hapim pendët e tij me radhë, aty gjendet mesazhi i bardhë
Do ulet pak e do rrijë me ne, do marrë edhe urimin tonë ta shpërndajë mbi dhe.
Shpresojmë në pëllumbin e bardhë, pothuajse e kemi lëshuar të gjithë me radhë
Kur e lëshojmë fluturon dhe ngjitet përpjetë, pëllumbin e paqes s’e ndalin as retë
Mbi vete ka mesazhin e mirësisë, do t`ia shpërndajë gjithandej njerëzisë
Rrezet e diellit në krahët e tij lëshojnë dritë, ta shohin ata që janë duke e pritë.
E kam takuar një pëllumb dhe e kam pyetur, sa kohë ke që në qiell je ngritur?
Më tha, më mbanin te shtëpia përballë, një mëngjes më nxori nga aty një djalë
Ishte i vogël e me flokë të bardhë, më nxori në dritare dhe më tha, udha e mbarë!
S‘e pa njeri kur ma dha këtë liri, ishte i qeshur, plot dashuri rrezytonte mirësi.
Do t‘i tregoj botës mbarë se çfarë bëri për mua ky djalë, më la të lirë dhe më tha ca fjalë:
Paqja nuk vjen duke bërtitur është shtëpia jonë, të gjithë jemi duke e pritur,
dua të jetoj i qetë, pa trazira, pa luftë në jetë, do fluturojmë edhe ne si Ti tek retë.
Takoji njerëzit e globit mbarë dhe thuaju se kështu më ka thënë një djalë.
Do vijë kjo ditë dhe më shumë do ketë dritë, do kthejmë kokën mbrapa, duke u habit
Si kemi jetuar deri tani pa të!? Sëbashku do thërrasim me të madhe, kurrë më!
Do gëzojmë paqen e jetës që jetojmë vetë, nuk do flasim për paqen në atë jetë,
Do gëzojmë për ditët dhe jetën të gjithë bashkë, s‘do na kujtojnë më, si njerëz të lashtë.
Do fluturojnë shpirtrat tanë si ky pëllumb i bardhë, do t’i kapim qiejt radhë-radhë
Do jenë edhe pëllumbat me ne, Ata e shpërndanë mesazhin e djalit mbi dhe
Do kundrojmë yjet dhe hënën në natën e bardhë, do gëzojmë se më në fund ia kemi dalë,
Tani do jemi në paqe e liri, pëllumbat do rrinë me ne shtëpi për shtëpi.
Zogu
Nga degët e pishës më ra një glasë
Thanë të tjerët mos u mërzit, sot ke një fat
Më ra në kokë, e fshiva dhe e hodha në tokë
Ta dija s‘do rrija te tavolina e pishës sot.
Kafen e mëngjesit shpeshherë këtu e pi
Në këtë kodër të vogël, poshtë kësaj pishe
Ca rreze dielli shoqërisht më vijnë përballë
Më japin frymëzim në fillimin e çdo dite.
Dielli fshihet mbrapa ca gëmushëve
Heret në mëngjes, kukafshehtaz me mua luan
Me një kafe e një gotë ujë, fshihem në këtë vend
Pass thonë rrezet, çdo mëngjes te kjo pishë të gjejmë.
Nuk e di se cili zog ma lëshoi glasën në kokë
Në degë ishin shumë dhe s’e dallova dot
Ndoshta po flasin për fatin që më ofruan sot
Nesër në mëngjes këtë fat lëshojeni përtokë.
Dielli pas gëmushëve ngjitet ashtu përpjetë
Edhe më shumë rreze më lëshon përballë
Më kujtohet se u bëra pak vonë për në punë
Ngrihem me vrap, kodrës së vogël marr udhë.
Kalaja
Po pushoj në këtë oborr, plot me lule e me bar
Nuk jam i armatosur me shpatë, as me hanxhar.
Rreth e rrotull nuk shoh trima, as djem ushtarë
Nuk shoh turma pushtuesish me hordhi, e as me barbarë.
Mendoj për betejat që janë bërë ndër shekuj me radhë
Më vjen keq për këta gurë, nëpër kohëra shumë kanë parë
Nga qyteti nuk ka zhurma, nuk arrin deri këtu as edhe një fjalë
Dikur andej vinin me tërbim, taborrët me shpata, heshta e ushtarë.
Në këtë kodër mbi qytet, Rozafa është madhështore për jetë.
Tu tregojë brezave që vijnë sa luftë është bërë për Shqipërinë.
Këta gurë janë dëshmitarë për trimërinë e të parëve tanë
Si zbrapseshin hordhi e barbarë, të shumtë në armatim e ushtarë.
Në këto mure radhë-radhë kanë rënë pushtues dhe tradhëtarë
Këta gurë shumë kanë qarë, për bijtë e tyre ndër shekuj të vrarë.
Betejat ngjyrën ua kanë errësuar, por forma e tyre nuk ka ndryshuar
Do qëndrojnë kështu për jetë, nga heshtat dhe shpatat sa kanë heqë!
Kanë çelur lule në Rozafë, ndoshta kishte edhe kur gruas iu la gjiri jashtë.
Pikë mbas pike buron nga ca gurë, gjiri i gruas, që s’shteroi kurrë
U muros, që të mos shëmben më këta gurë, përloti në kohëra grua dhe burrë.
Me trupin e saj e përjetësoi këtë kala, ishte e re, vetëm një djalë të vogël la.
Nga ky oborr, e shoh ndër shekuj vendin tim, nga para Krishtit e deri sot
Gjirit të gruas-legjendë në këto mure, unë po i shtoj nga vetja dy pika lot.
Çdo pranverë, lulet dhe ky bar, e përkujtojnë gruan e murosur pa fjalë
Nën rrezet e diellit, në këtë mëngjes, në muret e Rozafës akoma ka vesë.
Perlat e Jugut
Maleve dhe kodrave deti u shkon përbri
Gjithandej pa harruar as më të voglin gji,
U shkon këtyre bregoreve anembanë
Madhështia e tij, e shton bukurinë që kanë
Llogarasë ne majë, i kanë vënë kapuçin retë
Rrezet e diellit, bien shpatit t’malit përpjetë
Tufa me bagëti, poshtë e lart shikon
Bleta përmbi lule, me epsh të madh thumbon.
Joni, shfaqet poshtë Llogarasë
Mirë se erdhët! Takohemi prapë në Palasë
Rruga gjarpëron, me ullinj e detin bashkë
Kodra, qyteza, kala e manastire të lashtë.
Thuhet, perënditë kaluan nga këto anë
I panë kodrat dhe gjiret, gjithandej me radhë
Në këto vende, shkelën për disa ditë
I bekuan me bimësi, detë e shumë dritë.
Quhej Butrint, vendi i vërtetë i perëndive
Pllaja e magjishme ku do të rrinin përjetë
Edhe deti e donte atë për të pushuar
Perënditë para tij, aty kishin shkuar.
Nga Butrinti, Joni nuk dihet sa pati zënë!
S’lëvizi nga aty për të marrë, as për të dhënë
Perënditë, tempullin e ndërtuan në këtë vend
Në praninë e detit, mblidheshin për kuvend.
Rruga me shkurre e gëmusha, ngjitet përpjetë
Shkon drejt Syrit të Kaltër mes barit, e qetë
Një lumë i kthjellët përmes luginës gjarpëron
Një tjetër, nga brendësia e tokës, aty kulmon.
Syri ka ujë, sa të gjitha rrjedhat e lumit bashkë
Në mes të kësaj fushe, vrullshëm del jashtë
Nga thellësia e tokës, vjen më i kaltër se deti
Atje merr magjinë e të gjitha ujërave mbi veti.
Besoj, nga Butrinti erdhën këtu perënditë
Pushuan në këtë vend të rrallë, po atë ditë
Prej tokës e nxorën, Syrin e Kaltër në dritë
E bekuan, syhapur, përjetë luginën e sodit
Breron shi, erdha në vete nga kjo magji
Me cigare ndezur, kërkova një kafe e një raki
Uji i kristaltë, nëpër degët e rrëzuara po kalon
Te Syri i Kaltër, muzgu i darkës ngadalë po afron…
Fjala
Fol një fjalë, nga kjo jetë i heshtur gati ike
Thonë edhe pusho pak, kur flet shumë, se na mërzite.
Fjala solli egon, intrigën, smirën, lakminë e pështjellinë,
Apo dha mirësinë, të vërtetën, barazinë dhe lirinë?!
E çarmatosën një njeri, e morën peng në pabesi,
I thanë: drejto mëhallën, përdor fjalën, ke pushtet e pasuri.
Atij bëj pusi, njerëzve nxirru mërzi, thuaj asaj e di
Ngatërroji edhe ata të dy, bëji zagarë që s’lehin as në shtëpi.
Në postin e ri e këshilluan, vepro e mos rri,
Nuk mundi me ia dalë, u bë gaz në krejt mëhallë,
Gjyqin ia bënë po ata miq, i kish kujtuar me para dhe ofiq
Flitej për dredhi, thonë a ka perëndi? Xhelatët dhanë drejtësi.
Kur flet shpirti dhe mendja jote, lajm i mirë i kësaj bote
Të flasësh drejt e në kohë, një kurajo të fortë nga ti e do
Flasin ata që mbrojnë të zinë, s’paske ti fjalë për ndershmërinë?!
Me ty është një ushtri e armatosur në fjalë, të keqes do t’i bëjë ballë.
Fjala e lirë të vërtetës i jep zjarr, duket si kalorës në kalë
Bërtit si bariu, kur ujku sulmon bagëtinë, të tjerët në ndihmë të vinë
Njeriu pa fjalën e lirë, është si misri pa gjethe e pa kallinj
I gjallë e në jetë, qenia e tij përgjithmonë në gjumë ka mbetë.
Fol, sa grykat dhe malet të takohen me fjalën tënde jehonë
Ta kthejnë prapë në qytet, ndër jurista, ministra dhe deputet
Të dëgjojnë edhe hafijet, që jetën e shkuan duke përgjuar te tjeret
Të përsërisin edhe ata me jehonë, gjitha fjalët që njerëzit i thonë.
Duhet të flasësh me të madhe, sa qetësinë t’ia prishësh edhe qiellit
Shpirtin dhe mendjen tënde, fjala t’i nxjerrë në dritën e diellit
Të flasësh për punën, jetën, ligjin, njerëzit, deri për shtëpinë
Të bërtasësh fort, një ditë do thonë dëgjojeni, s’na la të rrimë…
Trotuari
Buzë rrugës i heshtur, pret mëngjesin çdo ditë
Shumë njerëz poshtë e lart vijnë, të tjerë në këmbë rrinë
Lypësi rri shtrirë, zgjat dorën e kërkon ndihmë
Dysheme ka ty, rrapin çati, i falin njerëzit dhe ai në jetë rri.
Sa herë kam kaluar, të kam parë, edhe sot je si vitet më parë
Sot lypësi s’paska ardhë, është njeri, ka punë, ka një hall?!
Aa, qenka në krahun përballë, u kërkon njerëzve prap me i falë
Ka ndërruar shtëpi, nga ky trotuar në atë tjetrin ka dalë.
Në shtyllë ngjitet fleta e bardhë, me një foto ku shkruhen pak fjalë
Aty ka heshtje, s’ka radhë, qoftë i vjetër, vajzë apo djalë
Njerëzit ndalojnë një minutë pa fjalë, eh, ky s’kaloka më në trotuar
S’do i marrë këto dyqane me radhë, s’do e mërzitë më as lypësi me i falë.
Herët në mëngjes për ty fillon jeta, ikën nga nata me orët e qeta
Lëvizin zonjat sharmante, me kordele, me fustane e kapele të bardhë
Në semafor vrapojnë fëmijë, të arrijnë shkollën në trotuarin përballë
Nga kryqëzimi nisen makinat me radhë, në dyqane hyjnë klientët e parë.
Kredia dhe duhani
Më kanë lodhur, por s’më janë ndarë
Më ndjekin gjithandej, si hije pa fjalë
Kam fituar ndonjë betejë të lehtë e të rrallë
Luftën e kam të fituar, kur të shkoj në varr.
Si përbindësha që s’kanë të ngopur, rrotull më rrinë
Qenien time, ditë pas dite, orvaten t’ma nxijnë
Kur shkoj të fle, me mua në dhomë vijnë
Heret në mëngjes, të dyja shpejt më përpijnë.
U mërzita një ditë, dhe vendosa t’iu hapë luftë
Për t’i sulmuar ngjesha një shpatë, në krah hodha një pushkë
Për mbrojtje vendosa helmetë e gjoksore, dhe hipa në mushkë
Me një dorë mbaja kapistrën, tjetrën të mbledhur grusht.
Plot fuqi, atë ditë u përgatita si për luftën e tretë
Ishte mëngjes, nuk dukeshin, nga frika bashkë ishin fshehë
Kërkova ku janë fut, pa pritur kredia dhe duhani ishin zhdukë
U nda kjo punë pa gjak e pa luftë, rrofsha unë, rroftë kjo mushkë.
Tha mushka, zbrit të ecim ngadalë, krah për krah, si dy fitimtarë
Të ndihmova, i vetëm ti e ke provuar, asnjëherë nuk ia ke dalë
Hidhi armët, se thonë të tjerët solli mushka një antik të paparë
Tani do festojmë, ti pi një kafe, unë po shkoj të ha bar.
I qetë u ula dhe porosita për të gjithë nga një kafe, pa i parë
Kamerieri faturën nga unë do e mbajë, edhe një raki se jam fitimtar
Bravo djalë! ia dole pa luftë e pa fjalë, veç me mushkën e bardhë
Oh zilja, futa dorën çfarë me dalë, një paketë e nga bankieri një mesazh.
Mos harro- Sot kësti i radhës-, piva pak ujë dhe shikova paketën e cigares
Të dy fantazmat më kishin zënë pusi, si kali i Trojës më kapën në befasi
Po armët e mia s’i kam as në shtëpi, mushka e bardhë këtë s’ka me ma falë
Do thotë: ti qenke budallë, e sheh çfarë të bënë, sa hëngra unë pak bar?!
Me te dyja këto, kam mësuar të jetoj, edhe ty o mushkë të respektoj
Eh sa jemi përpjekur, unë dhe gruaja ime, me zotime dhe me fjalë
Me vite të tëra s’ia kemi dalë. E çfarë të bësh ti o mushka e bardhë?!
Të isha unë burrë, gruaja ime divë e ti kalë, fantazmat s’më rrinin përballë.
Njeriu civil
Në krejt jetën e tij ndjehet i ri
Shpirti nuk i njeh lodhje, as pleqëri
Si lulet në lëndinë, që s’kanë të mbaruar
Pushojnë në dimër, sërish për të filluar
Shndrit me mirësinë dhe lirinë e tij
Drita nga duhet të shkojmë të gjithë
Vrapojmë drejt civilizimit me vullnet
Dallëndyshet, rendin për folenë e vet
Shpirtin e ka me ata që kanë të drejtë
Vemëndjen për të lodhurit në jetë
Njerëzit me pushtet dhe të pasur i do
Si delfini në detë të hapur, i lirë vepro
Karakteri i fortë është tregues i tij
S’blen e nuk shet parime e as njeri
karakter e dobëta, nuk i ka bezdi
I varfëri don, po ku të marrë pasuri?!
Eshtë i pavarur në mendimet e tij
I ndershëm dhe i çiltër si një fëmijë
Për të shoqëria janë njerëzit e mirë
Pasioni është e drejta dhe fjala e lirë
Për pasuri ka shtëpinë dhe familjen
Qenien e tij me mendimet dhe lirinë
Shpirtin plot me dashuri dhe gëzim
Orvatjet për qytetari dhe përparim
Njeriu civil, te natyra sheh mrekullinë
Zoti e krijoi si djep për njerëzinë
I vendosi te gjitha stolitë rreth tij
Diell, ujë, male e fusha plot bimësi
Një lëndinë me lule para syve i rri
I kundron shpesh në paqe e qetësi
Në stinët e vitit ato shkojnë e vijnë
Në dimër flenë, në pranverë gdhijnë
Si lisi i mrizit ku zanat poshtë tij rrinë
Si trupi i nënës për të vegjëlit fëmijë
Është prehja e shpirtit të tij në këtë jetë
Është qetësia që s’ka menduar as vetë
Si lumë që nuk shterron, është mirësia
Si ajri i bjeshkës që thith lehtë fëmija
Si zemra që i rreh fort kur ai vrapon
Si gëzimi i tij kur lëndinën përshkon
Fjala i ka fuqi, sa deti me dallgët e tij
Mbart vullnetin e të tjerëve, pa hile e pa zili
Eshtë gjetja e individit dhe e shoqërisë
Triumfues, përballë pushtetit dhe pasurisë
Në gjumë
Si ëngjëll në krevat rri shtrirë
Të dy duart e tua rrinë lirë
Koka në jastëk pushon e qetë
Krijesa e hijshme është duke fjetë.
Nga dritarja, ajri vjen i lehtë
Si shtëllungë drejt teje afron,
Rreth trupit tënd është ngjeshë
Je ëngjëll në qiellin mes resh.
Vetullat e tua harkohen hollë
Qepallat janë mbyllur, pushojnë
Qerpikët në një janë bashkuar
Zogu aty pendën paska harruar!
Faqet dhe buzët e tua lëkurëhollë
Si dy qershi në një kokërr mollë
Si freskia e mëngjesit në pranverë
S‘ka vesë më të madhe, sa këtë herë.
Nga fytyra një buzëqeshje kalon
Te qershizat e tua ndalon
E lëviz kokën për andej, ngadalë
Qafa e hollë krejt në pah ka dalë
Qershizat filluan të belbëzojnë
Duart e tua drejt gjoksit shkojnë
Do mbrojnë aty shegët e ngurta
Dikush po afrohet t’i hajë këto fruta.
Si gardian me hile duart qëndrojnë
Ato, më shumë frutat po i tregojnë!
Dy duar, dy shegët në shesh i mbrojnë?!
Joo, duart sytjenat filluan t’i largojnë.
Më e madhe vesa këtë mëngjes
Balli i Hirushës filloi të njomet me djersë
Qershizat janë skuqur e fryrë më shumë
Nga gjoksi, një zjarr i madh vërshon si lumë.
Koka dhe ijet lëvizin ngadalë
Për t’i dhënë udhë lumit, nga gjoksi i dalë
Gishtërinjtë e hollë, grinden me çarçafin e bardhë
Oh, ofshamë, shegët dhe frutat e mia t’i kam falë.
Rrezet e diellit në parvazin e dritares mbërrinë
Lulet nga vesa e mëngjesit, ngjyra-ngjyra shndrijnë
Në dhomë hyri një flutur, më shumë e shtoi freskinë
Përshëndet vajza me dorë, hapë sytë, ouu paska gdhirë!…
Vendlindja
Kur vij tek ti, perherë kjo më ndodhë,
Sikur jam zog dhe ti më mban në dorë
Kur jam larguar, këtu kam lënë folenë
U ktheva edhe sot e të gjeta si ngaherë
E dashur dhe bujare, me lule, e livadhe
Me luleshtrydhe, manaferra dhe qershi
Me kroje, dhe lumi me mullirin përmbi
Mrizin, ujin e ftohtë edhe qarrat përbri
Lisat e gjatë duket se janë rritur e shtuar
Mali sikur është ngjitur dhe më përpjetë
Dikur, unë e ngjisja shpejt dhe pa djersë
Jam mirë, po mali më duket më i rrëpirë
Stinët, besoj se edhe tani janë si atëherë
Kishte dimër, vjeshtë, verë dhe pranverë
Pasonin njëra-tjetrën, kalova fëmijërinë
Ikte njëra, me gëzim prisja tjetrën të vijë
Dimri, sillte bardhësi
Vinte stuhia e dëborës, me erën e fortë, nga drejtimi veri
Fërshëllente në degët pa gjethe, si fyelli kur merr melodi
Sillte shumë dëborë e acar, mbylleshim shpesh në shtëpi
Pushonte stuhia hapnim rretë, loznim topa bore dhe ski
Strehet zgjateshin me akuj, zbrisnin në tokë nga cdo çati
Ritet në festën e Krishtlindjeve, gëzimi i madh në shtëpi
Vjeshta, mjegull dhe shi
Kohë pak të ftohta, kur mblidhnim arra, gështenja e lajthi
Gjethe e fruta në tokë edhe në pemë kishte shumë përsëri
Korrnim misrin, qeronim kallamoqin, ngrenim tallën kapi
Kishim nxjerrë verën, vinim kazan, me dru lisi zienim raki
Bryma e mëngjesit, ehulli i ftohtë, dëbora trokiste në shtëpi
Ishim të përgatitur me ushqimet, për njerëz dhe për bagëti
Drutë për acarin turrë, të mirat për Krishtlindje e Vitin e Ri
Vera, kishte pak zagushi
Darka dhe mëngjesi, si kristale të kthjellta e plot me freski
Vaditnim arat, pemët, kopshtijet, me vadën e malit përmbi
Gostia e natyrës ishte plot fruta e perime, jashtë e në shtëpi
Xixëllonjat gjithandej lëshonin dritë, ishte kureshtje, magji
Ankoja bletët, bari dhe lulet e livadhit kositeshin për bagëti
Deri vonë në mbrëmje loznim me top, guraleca dhe rrasavi,
Netët e verës në Berishë të Pukës, në i ka tjetërkund nuk di!
Pranvera, ishte mrekulli
Shfaqeshin luledelet, lajmi për fillimin e pranverës në veri
Degët plot sythë në kajsi, kumbull, dardhë, mollë e qershi
Lëndinat njomeshin dita-ditës me bar që rritej ngadalë i ri
Mugulli në degët e lisave krijon tufa jeshile, s’ka më bukuri
Njomëza në degët e ahut e brishtë, mbanim rrema në shtëpi
Toka vishej me mozaikun e jetës, qielli i pafund me kaltersi
Herët, nën rrezet e diellit në mëngjes, zogjtë fillonin melodi
Për Pashkë rroba të reja, me babain dilnim vizita në komshi
Dielli n’perëndim ruante freskinë, mëngjesi ishte, o Perëndi!
Me keca dhe me qengja, vrapoja nëpër lëndina
Kërcenim bashkë në kodra, lugina dhe djerrina
Në bimët dhe pemët e vogla ne ziheshim përditë
Ata donin t’i hanin, unë shqyhesha duke bërtitë
Nga shtëpia vinte zëri i nënës duke më qortuar
Kishin vrapuar, në ara e kopshtije si të tërbuar
Rendja unë pas tyre, rregullat s’i kishin mësuar
U tregoj unë, ju mbaj lidhur, keni për ta pësuar!
Pastaj bënim paqe, i ndillja be..be.. dhe.. kiq..kiq
Më rrethonin, ishin të prapë nuk donin me pritë
Ju jepja me të dy duart, mos të ziheshin për kripë
Të njëjtat avaze, unë edhe ata kishim ditë për ditë
Shpeshherë diellin dhe hënën, unë i kam kundruar
Hëna dilte natën e bardhë, herë e plotë, herë e lakuar
Dielli ditën ishte top i zjarrtë, me rreze për të verbuar
Vinte nga mali, ecte pas malit tjetër për të perënduar.
Tango
Nga pentagrami notat tek ti fluturojnë
Si bizhuteri vezulluese të zbukurojnë
Orkestra me instrumenta nga ti shikojnë
Partiturën në fustanin tënd lexojnë.
Tingujt nën freskinë e darkës fillojnë
Nën dritat e zbehta shihen kur fluturojnë
Valëzojnë në ajrin e freskët, nuk pushojnë
Gjejnë siluetën tënde dhe e përshkojnë.
Bukurinë tënde notat muzikore tejçojnë
Një dirigjim tjetër filluan të dashurojnë
Rreth fustanit tënd pentagramet ndërtojnë
Lëvizjet e kurmit tënd, orkestrën drejtojnë.
Me sharmin tënd përhapen në lulishte
Janë sensuale, të brishta, të magjishme
Palat e fustanit lëshojnë më shumë freski
E mbushe lulishten me elegancë e hijeshi.
Zërat e lehtë kanë rënë krejt në qetësi
Shohin shfaqjen që doli nga e jotja regji
Për tangon tënde, plot stil dhe gjallëri
Notat muzikore kompozuan këtë melodi.
Lëvizjet e tua emocionin e çastit shpërndajnë
Luhet në lulishte tangoja nga hiret e tua e dalë
Kavalieri vital e me klas, mbyll lëvizjet me radhë
Përshëndet me elegancë njerëzit e mbetur pa fjalë.
Çast
Të kisha fuqi sa Perëndia, në këtë Çast
I gëzuar, do bëja atë që s’bëri ajo vetë
Besoj e di nga duhet ta filloja më parë
Do të ngjallja të vdekurit nga ai varr
Do na tregojnë një kureshtje me rëndësi!
Si është në atë jetë, a ka dritë, familje, shtëpi?
Atje u paraqitën si pleq, apo lindën si fëmijë?
Ata që ishin atje, u gëzuan apo morën mërzi?
Shpirti vdes, apo shkon në qiell si një yll i ri?!
Në qiell, dielli ka perënduar, hëna s’ka dalë
Arusha e Madhe, e Vogla, Rruga e Qumështit
Yje pafund të vendosur poshtë e lart, pa radhë
Xhixhat e tyre duken, drita s’mundet me ardhë
Për gjë tjetër s’më duhet ajo fuqi.
Do e ktheja mbrapshtë në adresën Perëndi
Do e falenderoja për çastin e lindjes sime
Tani, i kam krejt të qarta, lermë në punën time.
Do kthejmë jetën në çaste me lumturi
Do ngrihemi me forcë mbi lodhje, dhimbje e mërzi
Nga fundi i detit dalim të fortë, buzagaz përsëri
Nga maja e malit fluturojmë edhe më në lartësi
Janë pafund çastet tona, deri sa rikthehesh, ti Perëndi
Sa herë lind dielli e hëna për ne është moment i ri
Çastet jo të mira i largojmë shpejt, sikur hedh kometën Ti
I kthehemi gëzimit me natyrën dhe pasardhësit në pafundësi
Thonë se ti sjell atë çastin, që nuk e do asnjeri
Gjyshja ime thoshte, mirë se të vijnë nga ti o Perëndi!
Me gjyshen dhe falenderimet e saj, çfarë ke bërë nuk e di…
Përpiqu ta shtysh sa më shumë për qëniet që krijove ti
Në fakt, ke vepruar kudo rreth Tokës me drejtësi
E mbushe me kafshë, bimësi, gjallesa deti, shpend e njerëzi
Nga oksigjeni, uji, drita dhe ushqimi e vare jetën e krijesave ti
Tokën pa kursim me to mbulove, por jetën cikël prap e caktove!
Njeriut i dhe inteligjencën, e caktove në Tokë, si të voglën Perëndi
Vullnetin në vend ta ka çuar, por disa edhe fort ta kanë përçudnuar
Këtë e dije! Brez pas brezi i thërret për ti lavdëruar ose për ti ndëshkuar
Por nuk i kthen prapë pasi i ke disiplinuar, ndoshta këtu edhe je gabuar.
Edhe njeriu për sa kishte në dorë, ty ka imituar
Javët, muajt, stinët, vitet, ditëlindjet, përkujton vdekjet, me cikle të caktuar
Krijon shumë çaste të gëzuara dhe të hidhëruara, për të vepruar i dhe liri
Kështu vendose Ti, e sjell në jetë, një çast kujtohesh, kthehesh dhe e merr përsëri
Udhëtari
Ecte në rrugën me pluhur, dhe të gjatë
Nën vapën e korrikut, udhëtoi një ditë e një natë
Gjatë rrugës s’pati burime, ujë s’kishte as në trastë
Pluhuri që ngrihej i futej në fyt, me vete fliste zë trashë
Me pështymën që kishte, mundohej ta shtynte në bark
I bëhej llucë në gurmaz, ecte prap, se do binte nata
Kodrat, diellin filluan me ia pritë, po dorëzohej kjo ditë
Muzgu shtonte errësirën, udhëtari kishte më shumë dritë
Ajami i natës, filloi ti përkëdhelte nga pak lëkurën pa freski
Merrte frymë fort, mos ajri i errësirës brënda i krijon lagështi
Afër mëngjesit, i rraskapitur trupi i tij, ruante prap njomësi
Bari dhe gjethet e vesuara, si të përqafuara me retë, ishin jetë
I futi në gojë, mbushi trupin e duart, merrte vesë!
Vazhdoi gjysëm i mekur edhe ca udhë
Kalamendet djathtas në një gurë, u dorëzua s’ia dilte kurrë!
Filloi të shtrihej, përgatitej për varrin e tij mbi dhe
I pafuqi për t’u rehatuar, u rrokullis dhe ra në një rrëke
S’kishte lumë kaq të madh, i madh sa mori krejt dhenë
Uij i rrëshqiste në rroba e trup, filloi lëkura me iu zbutë
Rrjedha, merrte përposhtë atë pluhurin e kuq
E mbante gojën hapur, rrëkeja pak nga pak ujë aty fut
Në degë zogu cicëronte pa pushim, ta nxirrte nga kjo kllapi
Dielli kishte rënë majë lisave, iu duk se ishte mbi çati
Gërvishtjet që mori, filluan ti dhëmbin në këmbë e në brinjë…