Ndryshe nga fushat e tjera, mjekësia ruan në tërë terminologjinë e disiplinave të saj të njëjtën formë emërtimi sin ë antikitet, pavarësisht rrugës së gjatë deri në ditët e sotme. Çdo risi në këtë fushë, zbulimi i sëmundjeve të reja, përcaktimi i terapive e medikamenteve që nevojiten për to, nxjerr si nevojë krijimine emërtimeve të reja, të cilat, ashtu siç ka ndodhur deri më sot, formësohen në bazë të leksikut greko-latin. Në realitetin shqiptar, çdo student, çdo individ që bie në kontakt me fushën e mjekësisë, ndeshet së pari me një varg emërtimesh që duhen kuptuar saktë e përvetësuar mirë. Ky kuptim e përvetësim varet së pari nga zgjedhja e mënyrës si do të përdoret terminologjia mjekësore, e më pas, nëse profesionistët bien dakord, edhe nga mënyra se si këto terma përshtaten e përkthehen në gjuhën shqipe.
Studimet në fushën e mjekësisë do të ishin të paplota, sëse studentët e kësaj dege nuk do të kishin në mes të tjerave edhe një metodë të terminologjisë mjekësore në latinishte, e cila jo vetëm që u zbërthen strukturën e qartë të termit specific, por edhe i vendos ata në nivel me studentët e së njëjtës degë në fakultete të ndryshme perëndimore.
Gjuhë Latine dhe Terminologji Mjekësore është një tekst i pasur me terma shpjegues, ushtrime formuese mbi bazën e skeletit të njeriut, si dhe me një fjalor të përshtatshëm të termave latinë në fushën e anatomisë dhe farmakologjisë. Temat e para lidhen me rregullat e leximit dhe të shkrimit të saktë të fjalëve, si dhe me veçoritë e pjesëve të ligjëratës që marrin pjesë në formimin e termave mjekësorë (shoqëruar me shembuj konkretë e ushtrime). Gramatika e trajtuar është gjithmonë në funksion të ndërtimit të termave, të cilët përbëjnë pjesën kryesore të tekstit (përdorimi i rasës gjinore dhe kallëzore). Një vend të rëndësishëm zënë edhe recetat, ku jepen njohuritë kryesore për hartimin e tyre (pjesa latine e recetës, përbërja e saj, modele recetash), disa kombinime recepturale që përgatiten në farmaci si dhe shkurtimet më të përdorshme. Teksti mbyllet me një fjalor që mundëson përkthimin e fjalëve dhe termave që gjenden në tekst, i cili mund të shërbejë edhe për lëndë të tjera që lidhen me terminologjinë mjekësore latine.