Krahas kursit teorik, lënda e Mikrobiologjisë zhvillohet edhe me mësime praktike. Pikërisht, për të realizuar këtë objektiv është hartuar Praktikumi i Mikrobiologjisë Bujqësore, në bazë të programit mësimor të Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit dhe Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit.
Gjatë përpilimit të këtij praktikumi janë patur parasysh edhe botimet e mëparshme të këtij praktikumi, si dhe është konsultuar literaturë e huaj bashkëkohore dhe e vendit.
Në praktikum janë dhënë shumë tema mësimore praktike dhe të vlefshme, pasi ky praktikum mund të shfrytëzohet jo vetëm nga studentët për qëllim mësimi, por edhe për punë të pavarur të studentëve në kuadrin e temave të diplomës, si dhe nga punonjës kërkimorë-shkencorë të fushës së Mikrobiologjisë.
Për të ndihmuar studentët për punë të pavarur për kryerjen e praktikës, për çdo temë jepet shpjegimi teorik i problemit që studiohet, metoda e punës, analizat dhe rezultatet, si dhe detyrat që duhet të zgjidhë çdo student. Në fund të çdo teme jepen materialet dhe pajisjet e nevojshme për kryerjen e praktikës.